Dedikim për babanë gjeneral: Ti kalove vështirësi të pafundme, por kurrë nuk humbe besimin

Leotrimi, djali i gjeneralit Imri Ilazi, i cili ndërroi jetë sot, ka bërë një dedikim shumë të ndjeshëm për babanë e tij.

“Çdo ditë e jetës sime është një dëshmi e asaj që babi im më mësoi”, ka shkruar Leotrimi.

Postimi i plotë:

Ai nuk ishte një Gjeneral i madh vetëm në fushëbeteje, por një njeri me vlera të thella dhe zemër të madhe. Sakrificat e tij për lirinë e vendit janë të shkruara në historinë e kombit tonë, por trashëgimia e tij më e madhe është ajo që la brenda meje dhe familjes tonë.
Ai më mësoi se forca e vërtete qëndron në të qenurit i drejtë, i ndershëm dhe i palëkundur përballë sfidave. Si një burrë i pathyeshëm dhe një baba i përkushtuar ai mbante gjithmonë familjen tonë në qendër të gjithçkaje që bënte.
Sot dhe çdo ditë që vjen do të përpiqem të ndjek gjurmët e tua. Ti kalove vështirësi të pafundme, por kurrë nuk humbe besimin.
Çdo sakrificë e jotja ka ndërtuar një rrugë për ne, një rrugë që na udhëheq me krenari dhe respekt. Isha fatlum që të kisha si mbështetje dhe si frymëzim, të premtoj se do të punoj për të jetuar sipas vlerave që më ke lënë. Të falënderoj për gjithçka, bab. Ti je shembulli im i përjetshëm. Pusho i qetë!