Dedikim për babanë: Shtëpia nuk është më njësoj pa ty…
Para tre vitesh, më 7 mars 2019, qyteti i Gjilanit u përballë me një situatë të papritur, kur një kamion transportues u fut me shpejtësi në qendër të qytetit, nga drejtimi i rrugës së Ferizajt, duke shkaktuar edhe viktima e dëme materiale.
Kamioni pa frena i mori jetën edhe afaristit të njohur, Qerim Çoçaj, i cili këtu udhëhiqte një biznes të suksesshëm në sektorin e bukës dhe pjekurinave tjera, shkruan Mediafokus.info.
Vajza e tij, Saranda Çoçaj-Krasniqi, në trevjetorin e vdekjes tragjike të babait, ka bërë sot një dedikim shumë prekës.
3 vite pa Ty
U bë kohë që më nuk je në mesin tonë. Shtëpia nuk është më njësoj pa ty…ka ndryshuar! Hije tjetër ka marr…
Të kërkoj mes kujtimesh, e fytyra jote më shfaqet duke buzëqeshur, ajo buzëqeshje e ngrohtë, e sinqertë që më mbushte me jetë, ende më jep forcë për të vazhduar tutje…
Kur ndihem keq, vij të të takoj. Ulem mbi varrin tënd dhe të flas, të tregoj gjërat që më ndodhin çdo ditë. Por ti nuk më flet, ti vetëm më dëgjon me vemendje!
Na mësove që në jetë duhet të jemi të fortë pas çdo fatkeqësie, dhe unë atë po mundohem të bëj!
Sot erdha të t’vizitoj bashkë me Lianën, mbesën që me gëzim po e prisje, por nuk arrite ta shihje… Ajo do të vazhdojë të rritet krenare me fjalët më të mira për Gjyshin e saj.
E ti babi, Qerim Çoçaj, do jesh me ne deri në frymën tonë të fundit, sepse, të jetosh në zemrat e atyre që le pas, do të thotë të mos vdesësh kurrë.
Dedikime për babanë kanë bërë edhe fëmijët tjerë të Qerim Çoçajt. /Mediafokus.info

