Dedikim për babanë: Ti ishe ai që më shtyve para, që më dhe forcë të ngritem
Të gjithë fëmijët ua dedikojnë prindërve sukseset e tyre, por pikëllohen kur ata nuk i kanë më pranë për t`i ndarë me ta gëzimet e hidhërimet që sjellë jeta.
Një dedikim prekës për babain e saj ka bërë sot doktoresha Vjollca Kadolli-Halili, e cila meritat për suksese ia atribuon atij.
“Sa vite shkuan pa ty, babë!
Por për çudi, nuk zbehet asnjëherë imazhi yt në mendjen time. Akoma mbeten të freskëta fytyra jote, bujaria, afërsia e dashuria që na ofroje.
E pamundur të të mos kujtoj në çdo hap që hedh, në çdo gëzim e hidhërim, çdo sukses por edhe çdo dështim, je figura e parë që më bjen ndërmend.
Sepse… ti ishe ai që më shtyve të ec para, ai që më dhe forcë të ngritem, ti më dhe guxim dhe besove në mua dhe unë asnjëherë këtë s’mund ta harroj.
Do të mbetesh përherë “krenaria ime”, do të mbetesh përherë “njeriu i dashur, bujar e shpirtmirë’ i gruas tënde e fëmijëve të tu.
Ti nuk na sheh, nuk je me ne, por ne gjithmonë krenohemi me ty e me veprat tua!
Sa do të doja që sot të jesh pranë nesh, të lexonim vargjet tua së bashku, e të këndonim bashkë siç bënim mbrëmjeve në shtëpinë tonë.
I paharruar je në çdo minutë të jetës sonë!”, ka shkruar ajo.


