Dedikim për nanë e babë: Na mungoni çdo ditë e më shumë
Shtatë vite më herët ndërroi jetë motra e parë e Karadakut, Mihrije Kadriu Hasani, ndërsa bashkëshorti i saj, Salihu, njëri nga intelektualët e parë të kësaj ane, iku në përjetësi para 5 muajve.
Ata i ka rikujkuar sot vajza Shpresa.
“Sot u bënë 7 vite pa ty nanë e 5 muaj pa ty babi. Na mungoni çdo ditë e më shumë. Malli e dashuria per juve nuk shuhet asnjeherë”, ka shkruar ajo.
Sali Hasani ka qenë profesor i gjuhës shqipe, drejtor i shkollës në Shurdhan dhe po ashtu i Kooperativës bujqësore në këtë fshat.
Pas lufte, deri në pensionim, ka punuar zyrtar në Kuvendin e Komunës së Gjilanit.
Ai është marrë edhe me aktivitete politike, kulturore e humanitare për prej fillimit të pluralizmit në Kosovë.
Kurse Mihrija, për shumë vite qe sinonim i shërimit dhe shpresës për popullatën e kësaj gryke.
Ajo filloi punën si infermiere në vitet e shtatëdhjeta, atëherë kur as në qytet nuk kishin mjaftueshëm mantelbardhë dhe vazhdoi t`iu shërbejë njerëzve të kësaj ane të Gjilanit me dekada, ditë e natë, sa herë që ishte e nevojshme.
Mihrija aq shumë ishte përkushtuar ndaj shëndetit të qytetarëve, saqë e kishte harruar fare vetveten.
Ajo ishte e tillë edhe falë familjes, bashkëshortit të saj, Salihut dhe vajzave Shpresës dhe Kosovares, të cilat e mirëkuptuan dhe e inkurajuan në profesionin e saj.
Duke e respektuar nismën e banorëve të kësaj ane, me vendim të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ambulanca e Mjekësisë Familjare në Shurdhan, ku ajo punoi 20 vite, është emërtuar “Mihrije Kadriu Hasani”. /Mediafokus
