Dedikimi i profesoreshës për maturantët: Tani që po ndahemi…

Edhe një gjeneratë maturantësh i dha fund shkollimit të mesmëm. Një moment si ky, me ndarje nga shokët, shoqet dhe profesorët nuk mund të kalohet pa emocione të mëdha e të forta. Kështu e ka përjetuar ndarjen me maturantët e saj edhe profesoresha Mimoza Kadriu.

“Do të ju mbajmë në mendje sepse dhe ju ishit të jashtëzakonshëm”, ka shkruar profesoresha Kadriu, duke pasur parasysh mësimin në rrethanat e pandemisë.

Të dashur maturantë

Dje ju mbaruat ditën e fundit të mësimit, i dhatë fund edhe një kapitulli jetësor, për të filluar të tjera në jetën tuaj profesionale. Fati deshti që juve të ju përcjellin dy vite shkollore te jashtëzakonshme, ishit gjeneratë e sfidave per ju dhe për ne.

Të ndarë në grupe, mësim online, maska, dezinfektues, mbajtje e distancës, matje e temperaturës, pa ekskursione dhe maturë, pa ndeja dhe shetitje, ju po e mbaroni, por ne do të ju mbajmë gjatë në mendje.

Do të ju mbajmë në mendje sepse dhe ju ishit të jashtëzakonshëm.

Respektuat në përpikmëri masat, u solidarizuat me ne duke na ofruar ndihmë dhe kujdes në sfidat me mesimin elektronik (duke na bartur llaptopet dhe paisjet tjera teknologjike, duke na ndihmuar në kyçje, sepse keto sfida vetem ne dhe ju nxënës i dim edhe pse të tjerët nuk na vlerësuan).

Patem shumë sfida por të bashkuar “NE” dhe “Ju” ia dolem.

Faleminderit që nuk na sollët as edhe një zënkë, apo mosmarveshje të vogël edhe pse ishit të ngarkuar dhe të stresuar nga situata në të cilën po kalonim.

Arsimin e dua me shpirt, nuk ka profesion më fisnik. Është i vetmi profesion ku merr shumë respekt për punën që bënë, sepse ne bëjmë më shumë se ç’na takon, më shumë se ç’na kërkohet, ne nxënësit i duam si fëmijët tanë.

Dje mora shume respekt, u ndjeva shumë e lumtur që klasa ime kishte përgaditur një befasi për mua.

Ishte një nga ëmbëlsirat më të bukura sepse me të mora shumë respekt, dashuri dhe falemderime për angazhimin tim.

Faleminderit klasa ime, faleminderit prindërvë për bashkëpunimin që patem.

Tani që po ndahemi…

Ju uroj shëndet, fat dhe suksese në jetë!