Deklaratat e Kurtit në Shkup shpërfaqin ‘krisjen’ e raportit me Osmanin, distancohet nga “provokimet” në aeroport
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua sot me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Shkup.
Pas takimit, dyshja u deklaruan për media dhe nuk kishin si të mungonin as deklaratat për incidentin që ndodhi në Aeroportin e Shkupit ditë më parë, ku u përfshi presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Kryeministri Kurti nuk ka mbështetur dhe është ‘distancuar’ nga qëndrimet e Presidencës së Kosovës, ku u shpreh ditë më parë se incidenti ndaj presidentes së vendit ishte një “provokim” nga pala maqedonase.
Kurti ka theksuar se incidenti i ndodhur me presidenten Osmani nuk përbën një provokim nga autoritetet maqedonase.
Ai në një deklaratë për media bashkë me homologun e tij Hristijan Mickoski, tha se fillimisht duhet të zbardhet rasti dhe më pas të zbulohet e vërteta.
“Nuk e di se kemi pasur qëndrim të tillë si institucione se ka qenë provokim, mund ta ketë thënë dikush prej qytetarëve, por jo institucionet Republikës. MPJD ka dhënë qëndrimin e saj që është qëndrim i Republikës së Kosovës, po ashtu kemi parë edhe qëndrimin e MPJ-së së Maqedonisë së Veriut. Besoj se duhet të synojmë të vërtetën dhe assesi tensionimin. Pra le të zbardhet rasti, janë institucionet që e bëjnë këtë. Ne s’mund të bëjmë edhe zyrtarin doganor, edhe zyrtarin policor edhe atë që mbikëqyr sigurimin e aeroportit. Po bëhemi ngadalë, por sigurt, ekspertë të shumë detajeve teknike, por besoj që sa i përket thelbit të gjësë jemi përgjigjur dhe masat po ndërmerren”, tha Kurti nga Maqedonia e Veriut.
Presidenca e Kosovës tre ditë më parë doli me një reagim, ku u shpreh e ashpër ndaj autoriteteve maqedonase për incidentin në Shkup.
“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, deklaroi Presidenca përmes një komunikate të lëshuar më 2 gusht.

