Deklaratë e fortë e Ramës në Prishtinë: Serbia po kërcënon me gjeneralë të ushtrisë së mundur në fushën e luftës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron për vizitë në Prishtinë, ku pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka deklaruar se Serbia po bën manovra teatrale në veri të Kosovës.

“Nuk ka asnjë diskutim se në radhë të parë dhe mbi të gjitha, është Serbia ajo që duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm, dhe është vërtetë për të ardhur keq, që në vend të përparimit konkret të dialogut drejt njohjes reciproke dhe çlirimit përfundimtar nga e shkuara, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë, në kufirin me shtetin sovran të Kosovës”

“Ato manovra nuk mbrojnë në fakt qytetarët serbë në Veriun e Kosovës, sikundër pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar, madje edhe disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës, më shumë se 20 vjet më parë, që sikur kanë dalë nga varri, me pretendimin që po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë”, ka deklaruar Rama.