Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Të akuzuarit Labinot Gruda dhe Kadri Shala, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në këtë rast, dy të akuzuarit ngarkohen se i shkaktuan dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Valdet Gashi, të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë.

Ndërsa, i akuzuari Shala ka shtuar se do të lë mundësinë që lidhur me deklarimin e fajësisë të deklarohet në fazat tjera.

“Nëse ka mundësi, lidhur me fajësinë të deklarohem në fazat tjera”, tha i akuzuari.

Meqenëse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi i rastit, Arben Hoti, i ka njoftuar ata se brenda afatit prej 30 ditësh, kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.