Del ekspertiza, zbardhet shkaku i vdekjes së 3 anëtarëve të familjes nga Gjilani

Zbardhet shkaku i vdekjes së 3 anëtarëve të familjes Haliti nga Gjilani, që ishin zhvendosur për të jetuar në Gjir të Lalëzit.

BalkanWeb raporton se nga këqyrja e tre trupave të viktimave nga ekspertët mjeko-ligjorë në Tirane bëhet me dije se shkak i vdekjes është helmimi.

Burime nga policia Durrës bënë me dije se mjekët ligjorë që kanë kryer ekspertizën kanë dalë në përfundim se vdekja është nga helmi i shkaktuar nga kërpudhat.

Këto burime pohuan se njëkohësisht po kryhen edhe analizat e ushqimeve, konkretisht të kërpudhave që janë gjetur të gatuara në shtëpi.

Kujtojmë se Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti shfaqën shenja helmimi dhe u drejtuan për të marrë shërbim mjekësor në qendrën shëndetësore të Manzës, ndërsa më pas u dërguan me urgjencë në QSUT.

Por, pavarësisht ndihmës mjekësore, 3 anëtarët e kësaj familje nuk arritën të mbijetonin.