Deliu-Kodra: Ka rënie të pëlqyeshmërisë ndaj kryeministrit Albin Kurti

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se politika e jashtme e vendit është jofunksionale dhe anemike, pavarësisht vizitave të shumta jashtë vendit të krerëve institucional.

Ajo thotë se nuk ka parë asgjë konkrete nga këto vizita, në kuptimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja. Deputetja opozitare adreson kritika edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti për krizën ekonomike, për çka thotë se ka rënie të pëlqyeshmërisë qytetare ndaj tij.

“Me përjashtim të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, nuk kemi parë diçka sa i përket aktivitetit që ka pasur presidentja dhe Qeveria e Kosovës, kryeministri dhe ministrja e Jashtme për të fuqizuar Kosovën dhe politikën e saj të jashtme. Nuk ka asnjë anëtarësim të ri të Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, s’ka asnjë lajm të ri nga vizitat që i kanë pasur së fundmi zyrtarë të lartë të shtetit. S’ka rikonfirmim ose njohje të Kosovës nga një shtet. Në përgjithësi po e them, politika e jashtme e Kosovës vazhdon të jetë anemike, vazhdon të mos jetë funksionale në kuptimin që do të duhej që Kosova të kryente këtë kontribut të saj”, ka thënë Deliu-Kodra./kp