Demantohet keq Kurti: Diaspora dërgoi më shumë para kur ai nuk ishte kryeministër
Kryeministri Albin Kurti mund t’i ketë sjellë të qeshura shumë qytetarëve ditëve të fundit me deklaratën e tij për remitancat e diasporës. Sipas shefit të ekzekutivit, prej se ka ndërruar Qeveria e vendit, bashkatdhetarët po u dërgojnë edhe më shumë para familjarëve dhe miqve të tyre në Kosovë.
Kryeministri Kurti ka marrë reagime të shumta për deklaratën e tij të dhënë në një emision në KTV, ku sipas tij, bashkatdhetarët po iu dërgojnë më shumë remitanca familjarëve dhe miqve të tyre në Kosovë, sepse ka ndërruar Qeveria dhe tash ai është kryeministër.
Megjithatë, nëse analizohen të dhënat zyrtare, nuk është as remitancat e dërguara prej diasporës që dallojnë shumë në vitet 2020 dhe 2021.
Sipas raporteve zyrtare të dy viteve të fundit, 2020 dhe 2021, ndonëse në vitin e fundit mungojnë të dhënat për muajin nëntor dhe muajin e tanishëm, dhjetor, rezulton se përqindja vjetore është për 2.45 për qind më e vogël në vitin 2021, gjatë qeverisjes së Kurtit, krahasuar me vitin 2020 kur kryeministër ishte Avdullah Hoti.
Në vitin 2020, sipas statistikave zyrtare të krahasuara nga Demokracia.com, janë dërguar 980 milionë euro remitanca. Ndërsa, në vitin 2021, pa përfshirë dy muajt e fundit të vitit 2021, pasi që ende nuk janë përpunuar të dhënat dhe ende nuk është mbyllur viti, janë dërguar 956 milionë euro remitanca nga diaspora kosovare.
Por, nëse krahasohen të dhënat muaj për muaj, shohim se viti 2021 ka një trend të lehtë të rritjes nëpër muaj.
Dërgesat e disaporës kanë trend rritës të vazhdueshëm që nga paslufta. Por, nëse marrim edhe dy vite tjera para pandemisë, atëherë në vitin 2019 remitancat kanë qenë 851.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2018 kanë qenë 800.6 milionë euro.
Vlen të theksohet se këto janë dërgesa zyrtare që diaspora jonë i dërgon përmes bankave dhe agjencive për transfer të parave, por vlerësohet se para KESH sjellin gjithashtu mjaft shumë në Kosovë.
Rritja e dërgesave përmes bankave dhe agjencive gjatë dy viteve të fundit është bërë edhe si ndikim i pandemisë, pasi që lëvizja e bashkatdhetarëve tanë ka qenë shumë më e kufizuar për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19.




 
 
						 
						