Demush Vokshi: Unë jam në karrocë, i kufizuar në këmbë, por zemrën, mendjen dhe shpirtin nuk mund të ma kufizojë askush
Unë jam Demi Vokshi. Po, unë jam në karrocë, i kufizuar në këmbë, por, zemrën, mendjen dhe shpirtin e kam të lirë dhe askush nuk mund të ma kufizojë.
Jam shumë i pikëlluar, e besa edhe i indinjuar kur shoh se si partia në pushtet tallet me mua, vetëm pse unë jam në karrocë. Të tallesh me një njeri për shkak të gjendjes së tij shëndetësore për llogari partiake është pika më e ulët e njerëzillakut njerëzorë.
Unë nuk e kam zgjedhur këtë gjendje, por jam detyruar ta pranojë me dinjitet dhe jam munduar gjithmonë të jem shembull i guximit dhe i vullnetit edhe për të tjerët përkundër gjendjes sime. Karroca ime nuk më ka penguar kurrë të ëndërroj, të punoj dhe të luftoj për këtë qytet. Përkundrazi, më ka bërë edhe më të fortë dhe më kryengritës ndaj padrejtësive, keqmenaxhimit financiar dhe marifetit të turpshëm të kësaj qeverisje.
Këta njerëz të padinjitetshëm nuk po tallen vetëm me Demi Vokshin. Ata po tallen me çdo familje që ka një të dashur në këtë gjendje. Po tallen me secilin njeri që përballet çdo ditë me sfida e megjithatë nuk dorëzohet.
Unë nuk kam nevojë për mëshirën e askujt, por ajo çka kërkoj është respekti dhe mëshira për gjendjen time të cilën unë nuk e zgjodha, por, e zgjodhi i madhi Zot. Përkundër kësaj, unë jam shumë krenar me vetën time dhe me dinjitetin tim njerëzorë. Më shumë ec unë në karrocë me zemër e me vullnet, sesa ata që patën këmbë por nuk lëvizën asnjë hap për qytetin e tyre për 4 vite qeverisje.
Populli e di mirë kush punon me zemër e kush merret me propagandë. Prandaj, ne bashkë me Arbër Ismajlin kryetar, do të ecim drejt sfidave të mëdha për qytetarët. Unë me karrocën time, dhe me hapat e Arbërit, do të jemi drejt fitores edhe drejt një jete më të mirë për të gjithë qytetarët tanë.
Bashkë, me dinjitet e me zemër të madhe, ecim drejt Gjilanit të ri.


