Dënimet e parapara për secilën shkelje të masave antiCOVID-19

Policia e Kosovës po vazhdon aktivitetet e saja në zbatim të vendimit të fundit të Qeverisë, për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.

Por cilat janë gjobat që shqiptohen nga policia për shkelësit e ligjit?

Sipas Ligjit.Nr.07/L-006, për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19, masat ndëshkimore janë:

– Personi juridik i cili nuk e respekton vendimin e Organit kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në kohën e caktuar, dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro.

– Drejtuesi i mjetit motorik i cili nuk e respekton vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të përcaktuar, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.

– Personi fizik i cili nuk e respekton Vendimin e Organit Kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve sipas orarit të caktuar, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.

– Personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro.

– Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro.

– Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e distancës fizike, dënohet me gjobë prej tridhjetëepesë (35) euro.

– Personi juridik që organizon aktivitete të ndaluara me vendim të Organit Kompetent dënohen me gjobë prej dy mijë (2000) euro dhe ndalimin e aktivitetit, ndërkaq personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë me dymijë (2000) euro.

– Personi fizik i cili organizon aktivitete publike dhe jopublike të ndaluara me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro dhe ndalimin e aktivitetit.

– Hyrja e personave fizik të paautorizuar në ambientet e veçanta përfshirë por pa u kufizuar në: objektet e izolimit apo karantinimit publik, privat, hapësirat shëndetësore, ku është e ndaluar hyrja/dalja pa vendim të veçantë, dënohet me gjobë prej njëqind (100) euro.

– Personi i vendosur në izolim apo karantinë sipas vendimit të organit kompetent i cili nuk i zbaton rregullat e përcaktuara gjatë kohës së qëndrimit në izolim/karantinë apo tenton të largohet nga izolimi/karantina dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro si dhe rikthimin në izolim apo karantinim.

– Personi i cili hyn në zonën karantinë të Republikës së Kosovës dhe nuk izolohet apo karantinohet, siç është përcaktuar me vendim të organit kompetent, dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro.

– Personi i cili vjen nga zona karantinë dhe nuk zbaton vendimin nga organi kompetent për izolim apo karantinim të detyrueshëm dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) euro.

Personi i cili del nga izolimi ose zona e karantinës e përcaktuar me vendim të organit kompetent, pa leje përkatëse dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) euro.

– Personi i cili hyn në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë legale dhe nuk deklaron vendin e origjinës prej nga vjen si dhe nuk vepron sipas udhëzimeve të organeve kompetente ose refuzon ti nënshtrohet masave të kontrollit të detyrueshëm mjekësor dhe izolimit apo karantinimit dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro.

– Personi i cili ka hy në mënyrë ilegale në territorin e Republikës së Kosovës dhe nuk deklarohet si dhe nuk iu nënshtrohet masave të detyruara të kontrollit mjekësor dhe izolimit apo karantinimit të obligueshëm dënohet me gjobë prej pesëqind (500) euro si masë shtesë përpos masave ligjore për kalim ilegal të kufirit të paraparë me legjislacionin në fuqi.