Dënohet me 9 muaj burgim dhe 200 euro gjobë e akuzuara për mashtrim dhe vjedhje të identitetit
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës Lindorë Sejdiu, duke e dënuar me një dënim unik prej 9 muaj burgim dhe 200 euro gjobë për “mashtrimi” dhe “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e çasjes”, raporton BetimipërDrejtësi.
Sipas aktakuzës, më 18 shtator 2021 në Gjilan, në rrugën ”Vëllezërit Frashëri” e pandehura Lindorë Sejdiu, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, me anë të paraqitjes së fakteve të rreme, ka mashtruar të dëmtuarin Nuredin Rahimaj, punëtor i “Ekspress Post” LL.C.
Sipas aktakuzës paraprakisht e akuzuara blen sim kartelën nga shitësit ambulant, e më pas tek “Mobi Shop Fita” në Prishtinë porosit një telefon të markës “Samsung S21 Ultra”‘ dhe një telefon të markës “Samsung Z Fold 3” në vlerë 2 mijë e 650 euro, duke u paraqitur me emër të rremë si Merita Hoxha dhe pasi punëtori postës “Ekspress Post” LL.C, ia sjell në Gjilan, e pandehura e pret tek “Xhamia e Medresesë”, nga ku i kërkon të shkojnë në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, dhe duke e vënë në lajthim se kinse po hynte në shtëpi t’i merrte paratë, merr pakon me telefona dhe hyn në oborrin e një shtëpie dhe del nga dera e pasme, duke e mashtruar të dëmtuarin.
Sipas aktakuzës e njëjta më pas shkon në Prishtinë dhe telefonin “Samsung Ultra S21”, duke u paraqitur si Adelina Hyseni, e shet më 19 shtator 2021 tek Mobi Shop “Qendra” në Prishtinë në vlerë 700 euro, ndërsa telefonin Samsung “Z Fold 3” për shumën 750 euro ia shet një shokut të saj, me ç’rast në mënyrë të kundërligjshme krijon dobi pasurore për vete, duke vepruar në dëm të pasurisë së të dëmtuarit për vlerën 2 mijë e 650 euro.
Po ashtu, më 19 shtator 2021, në Prishtinë, tek Mobi Shop “Qendra”, e pandehura Lindorë Sejdiu, me qëllim të fshehjes së veprave penale të mashtrimit dhe humbjes së gjurmëve të saj, përdor identitet të rremë.
Tutje thuhet se telefonin e markës “Samsung Ultra S21”, të cilin më 18 shtator 2021 përmes metodës së mashtrimit e kishte siguruar në Gjilan sikurse në dispozitivin 1, duke përdorur identitetin e rremë Adelina Hyseni, e shet telefonin e markës “Samsung Ultra S21”, tek Mobi Shop “Qendra” në Prishtinë, për çka e dëmtuara Adelina Hyseni më 29 nëntor 2021 në lokalet e Stacionit Policor në Gjilan ftohet për t’u intervistuar dhe në këtë mënyrë vjedhë dhe përdor identitetin e të dëmtuarës. /BetimipërDrejtësi

