Dënohet me burgim të përjetshëm i akuzuari për vrasjen e 15-vjeçarit dhe babait të tij

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Xhafer Bardhit, duke e dënuar me burgim të përjetshëm lidhur me akuzën se si rezultat i një mosmarrëveshjeje pronësore kishin privuar nga jeta 15-vjeçarin A.M., dhe prindin e tij B.M. Kurse, djali i tij Amir Bardhi, u lirua nga akuza.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues Agim Kuçi.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Xhafer dënohet me burgim të përjetshëm, kurse i akuzuari Amir lirohet në mungesë të provave dhe të njëjtit i ndërpritet masa e paraburgimit.

Po ashtu, konfiskohet arma me të cilën është kryer vepra penale, shkruan BetimipërDrejtësi.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 shkurt 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Xhafer Bardhi dhe Amir Bardhi, ngarkoheshin se më 5 prill 2021 në vendin e quajtur “Zabel” në pyllin e fshatit Gradicë, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore rreth së drejtës së shfrytëzimit të malit, me dashje të pandehurit Bardhi në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të miturin- tani të ndjerin A.M 15-vjeçar dhe prindin e tij B.M.