Deputetët e Parlamentit Evropian i kërkojnë ministres Haxhiu një gjë të cilën VV-ja nuk do që ta flasë

Një grup ndërpartiak i deputetëve në Parlamentin Evropian ka nisur sot një letër drejtuar ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, me thirrje për përfshirjen e martesave të gjinisë së njëjtë në Kodin e ri Civil.

Letra e grupit të përbërë prej 28 deputetëve të Parlamentit Evropian, shpreh nevojën e mbrojtjes me ligj të martesave të gjinisë së njëjtë në kohën kur Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur drafin e Kodit të ri Civil.

“Si anëtarë të Grupit LGBTI në Parlamentin Evropian, një grup ndërpartiak i anëtarëve të Parlamentit Evropian i cili është duke punuar për barazi për personat LGBTI, ju kontaktojmë sot për të dërguar një mesazh të fortë mbështetës për përfshirjen e martesave të gjinisë së njëjtë në Kodin Civil të Kosovës”, thuhet në letër.

Sipas grupit të eurodeputetëve, iniciativa për punimin e Kodit të ri Civil të Kosovës, “përbën një mundësi të artë për t’u dhënë mbrojtje ligjore personave LGBTI”, duke përmendur konkretisht rregullimin e marrëdhënieve të tyre në fushën ligjore.

“Grupi mirëpret progresin në mbrojtjen e të drejtave LGBTI në nivel legjislativ dhe politik; […] i bën thirrje qeverisë që të përfshijë martesat e gjinisë së njëjtë në draftin e Kodit Civil, siç garantohet me Kushtetutën e vendit”, bëhet thirrje në letrën e eurodeputetëve.

Letra e grupit ndërpartiak të deputetëve të PE-së është nisur direkt në adresë të Albulena Haxhiut, ministres së Drejtësisë, e cila përfaqëson në qeveri Lëvizjen Vetëvendosje, subjektin fitues të zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, në një koalicion me Listën ‘Guxo’.

Partia të cilën Haxhiu e përfaqëson është kritikuar për qasjen ndaj çështjes së mbrojtjes ligjore ndaj personave LGBTI.

Në një raport të Shoqatës Ndërkombëtare të Lezbikeve, Homoseksualëve, Biseksualëve, Transgjinorëve dhe Ndërseksual, thuhet se është vërejtur rritur prirja e politikanëve në Kosovë dhe vendet tjera të rajonit për të sulmuar verbalisht personat LGBTI.

Te pjesa e Kosovës, raporti thotë se disa anëtarë të partisë më të madhe, Vetëvendosje kanë bërë deklarime negative në lidhje me fushatën e ndërgjegjësimit për barazinë martesore të organizuar nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut.

Në tetor, thotë raporti, Leonora Shabani-Bajraktari ,një anëtare e Asamblesë Komunale të Prishtinës nga Vetëvendosje, e quajti fushatën “të ekzagjeruar dhe të panevojshme”.

Po ashtu, raporti përmend edhe akterë politik nga subjekte të tjera që kanë shfaqur gjuhë të urrejtjes ndaj personave LGBTI./insajderi/