Deputetët t’i kthehen punës pas gjelit e bakllavasë – Balla ironizon me kolegët

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar bojkotin e opozitës duke e cilësuar atë si një “vendim emocional”, ndërsa ka bërë thirrje që Partia Demokratike të rikthehet në normalitet parlamentar pas festave të fundvitit.

Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar për rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Sipas tij, synimi i qeverisë është që bisedimet për anëtarësim të përmbyllen brenda vitit 2027, ndërsa procesi i ratifikimit dhe anëtarësimi i plotë të realizohen brenda vitit 2030. “Në këtë kontekst, nuk ka vend për kushte, kërcënime apo shantazhe ndaj mazhorancës dhe Kuvendit”, u shpreh Balla, përcjell A2 CNN.

Ai u ndal veçanërisht te qëndrimi i opozitës për komisionet parlamentare, duke theksuar se mazhoranca nuk do të lejojë bllokimin e reformave.

“Pakica nuk mund të marrë peng nevojën e reformave. Nëse opozita nuk reflekton dhe nuk kthehet në komisione, atëherë ne do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve që kanë caktuar se kush është shumica dhe kush pakica”, deklaroi Balla.

Sipas tij, vendimi i PD për bojkot është i kuptueshëm në kushtet emocionale të javës së kaluar, por ai shprehu bindjen se “emocionet do t’u kalojnë pas gjelit të detit dhe bakllavasë” dhe në janar opozita do t’i rikthehet punës parlamentare. (A2 Televizion)