Deputeti ‘problematik’ po del të jetë dënuar pa faj, Gashi thotë se ka gënjyer
Deputeti ‘problematik’ Etem Arifi po del të jetë dënuar pa faj, sepse Bajram Gashi, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim” ka dalë dhe ka pranuar publikisht se ai ka gënjyer në gjykatë.
Paratë e marra nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për t’u siguruar fonde komunitetit ashkali dhe egjiptian për festimin e ditës flamurit, Gashi thotë se i mori për vete.
Pas lirimit Gashi thotë se deputeti Etem Arifi nuk është fajtor, por ai iu hakmor deputeti Arifi pasi që nuk e punësoi si shofer, njofton Klan Kosova.
E për këtë bashkë me avokatin e tij Gashi më 23 nëntor ka dorëzuar deklaratën e tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke dhënë kështu krejt tjetër version nga i pari.
Më 3 qershor deputetit Arifi që tashmë është në burg, i është konfirmuar dënimi prej 1 vit e 3 muaj për keqpërdorim të subvencioneve.
Vota e tij bëri që të zgjedhet qeveria Hoti, e cila tani është kontestuar edhe në Gjykatën Kushtetuese nga LVV, për shkak se Arifi ishte i dënuar kur votoi në Parlament.


 
 
						 
						