Deputeti Shaip Kamberi e sfidon sërish qeverinë serbe me pyetjet për Medvegjën dhe Kizhevakun (Video)

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi i ka kryqëzuar edhe sot qeveritarët e Beogradit me dy pyetje, me të cilat ata nuk do të dëshironin të përballeshin asnjëherë – pasivizimi i vendbanimeve në komunën e Medevegjës si dhe varreza në Kizhevak.

Pyetja ime e parë i adresohet minisytrit të policisë së Republikës së Serbisë dhe ka të bëjë me procesin e pasivizimit të vendbanimeve të qytëtarëve në komunën e Medvegjës, ka thënë Kamberi.

Siç është folur disa herë, në komunën e Medvegjës është duke u zhvilluar një proces masiv i pasivizimit të adresave të qytetarëve, të cilët po i humbin të drejtat e tyre civile dhe bashkë me to edhe të drejtën e votës.

Në këtë drejtim zgjedhjet e fundit të mbajtura në këtë komunë më 2018 kanë dëshmuar se ky proces në mënyrë më drastike është zhvilluar ndaj popullsisë shqiptare të kësaj komune.

Nga tetë mandate të këshilltarëve komunalë, sa kanë pasur partitë shqiptare në këtë komunë para 2018, në zgjedhjet e 2018 kanë rënë në tre mandate, kjo për shkak të shlyerjes arbitrare të adresave të tyre dhe shlyerjes së tyre nga regjistri zgjedhor.

Një akt i këtillë po ndikon në ndryshimin artificial të strukturës etnike të kësaj komune dhe si i këtillë ky proces është edhe antikushtetues edhe antidemokratik.

Për këtë arsye, pyetja ime për ministrin e punëve të brendshme është:

Cili është numri i qytetarëve të cilëve i është pasivizuar vendbanimi gjatë vitit 2017, 2018, 2019 i 2020 në këto vednbanime: Medvegjë, Banjën e Sijarinës, Tupallë, Sfircë, Gërbac, Ramabanjë, Stara Banjë, Sijarinë, Gjilekreshtë, Lapashticë dhe Kapit?

Pyetjen e dytë, Kamberi ia adresoi kryeministres Brnabiq dhe kryetarit të Komisionit qeveritar për personat e pagjetur.

Ashtu siç kanë njoftuar edhe mediat, më 16 nëntor në gurthyesin e lokacionit Kizhevak afër Rashkës janë gjetur mbetjet mortore të 15 – 17 NN personave, për të cilët dyshohet se janë trupat e shqiptarëve të Kosovës.

Siç ka deklaruar për televizionin shtetëror RTS, z. Odaloviq, në cilësinë e kryetarit të komisionit qeveritar për personat e pagjetur, “ky është njëri ndër lokacionet i cili po hulumtohet sipas informacioneve nga Prishtina”.

Pyetja ime për kryeministren dhe z. Odalloviq është: A janë përfunduar analizat e AND-së për t`u vërtetuar identiteti i viktimave dhe cilat janë lokacionet tjera të cilat duhet hulumtuar?/Mediafokus.info