Dështim pas dështimi, për të 18-tën herë nuk kalon propozimi për votim të fshehtë në Kuvendin e Kosovës

Për të 18-tën herë me radhë në Kuvendin e Kosovës ka dështuar konstituimi i përbërjes parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Avni Dehari, Kryesuesi i seancës konstitutive ka ndërprerë sërish seancën e Kuvendit.

Ishin 52 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim.

“Ndërpritet seanca, shihemi me 21 maj në orën 10:30”, tha Dehari.

Ndryshe, të enjten presidentja, Vjosa Osmani ka mbajtur një takim me liderët e partive, por pa rezultate konkrete për dalje nga ngërçi.

PDK, LDK, AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, derisa LVV nuk po pranon ta ndërrojë atë.

Seancat janë duke u mbajtur çdo 48 orë, por asnjëherë nuk është arritur konsensusi i nevojshëm për të votuar udhëheqjen e legjislativit.