Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, Vetëvendosje kërkon marrëveshje politike
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka dështuar për herë të katërt.
Seanca, e cila u hap të hënën, u ndërpre menjëherë pasi kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Deputeti i kësaj partie, Glauk Konjufca, tha se kandidatura mbetet e njëjtë – Albulena Haxhiu.
Ai shtoi se, duke qenë se partitë e tjera janë deklaruar kundër votimit të saj, nevojitet kohë shtesë për konsultime të brendshme dhe ndërpartiake.
VV, padyshim e ka emrin e njëjtë, Albulena Haxhiu si e propozuar. Ne meqenëse e kemi parë që të gjitha subjektet politike qysh dje kishin paralajmëruar se do të kenë qëndrimin e njëjtë, mendoj se në këtë situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç se me një marrëveshje politike…Pa krijimin e një mazhorance këtu në Kuvend për kryetarin e Kuvendit nuk do të mund të themelohet vetë Kuvendi. E njëjta logjikë është edhe për nënkryetarë… Atëherë ne zoti kryesues kërkojmë një kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë që e patëm tri herë radhazi në Kuvend”, tha Konjufca.
Pas kësaj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu seancën e sotme dhe u vendos që seanca të vazhdojë të mërkurën në orën 10:00.

