Dhëndri i Kosovës, deputeti kanadez, uron 18-vjetorin e Pavarësisë
Deputeti kanadez, Kyle Seeback, ka përcjellë një mesazh urimi për Kosovën në prag të 18-vjetorit të pavarësisë, duke theksuar lidhjen e veçantë personale dhe institucionale që ka me vendin, transmeton albinfo.ch.
Ai ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kanadajas dhe Kosovës, duke rikujtuar se Kanadaja ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e saj. Seeback u shpreh krenar për këtë partneritet dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Deputeti kanadez ndau edhe detaje nga lidhja e tij familjare me Kosovën, duke treguar se bashkëshortja e tij është me origjinë nga vendi dhe se një pjesë të muajit të mjaltit e kanë kaluar atje. Ai tha se gjatë qëndrimit ka pasur mundësi të njohë nga afër kulturën dhe traditat e pasura kosovare, si dhe gastronominë vendase.
Seeback veçoi mikpritjen dhe krenarinë e qytetarëve për vendin e tyre, ndërsa rekomandoi për vizitorët që të ndalojnë në Rahovec, duke e cilësuar makiaton që kishte provuar atje si një ndër më të mirat që ka shijuar ndonjëherë.
Ai gjithashtu bëri të ditur se djalin e tij e kanë quajtur William Kastriot Seeback, emër i frymëzuar nga figura e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilin e përshkroi si simbol të guximit dhe luftës për pavarësi.

