Dhimbje e lot shqiptarësh në Kroaci: Familjarët identifikojnë të dashurit e tyre që vdiqën në aksident
Sllavonski Brodi është pushtuar sot nga dhembja e shqiptarëve, të cilët kanë shkuar atje për ti identifikuar të dashurit e tyre që humbën jetën rrugës për në vendlindje, ose për t`i vizituar në spital të lënduarit. Lot dhe ofshama gjithandej, në spital, në familjet e tyre.
Dhjetë prej tyre vdiqën në vend, dhe megjithëse fillimisht ishte e vështirë për t’i identifikuar, disa orë pas tragjedisë, policia arriti të lidhte njerëzit me dokumentet e tyre, duke krijuar parakushtet për identifikimin e viktimave.
Ndërkohë është bërë identifikimi i dy personave të tjerë, anëtarët e familjes së të cilëve prisnin t’i telefononin, por për arsye të kuptueshme, askush prej tyre nuk ishte në gjendje të fliste. Ata thjesht po kërkonin ngushëllim te njëri-tjetri, shkruan Jutarnji.hr.
Të rikujtojmë se në këtë aksident, që ndodhi me fajin e shoferit, të cilin e zuri gjumi, vdiqën 10 persona, ndërsa mbi 40 kanë marrë lëndime. Sipas mjekëve atje, 8 janë në gjendje më të rëndë, tre janë operuar, ndërsa një vajzë e mitur është përcjellë për në spitalin e Zagrebit.

