Dhunimi i 11-vjeçares/ Haxhiu kërkon dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prishtinës dhe prokurorit të rastit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të gjashtë personave, të cilët dyshohet se e kanë trafikuar dhe dhunuar 11-vjeçaren në qershor të këtij viti.

Haxhiu përmes një shkrimi në Facebook ka kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorin e rastit.

Postimi i plotë i Haxhiut:

Pse nuk vepronte Prokuroria Themelore në Prishtinë në muajin qershor? Pse nuk u arrestuan asokohe personat e dyshuar? Pse dy muaj me vonesë?

Më e pakta që do të duhej të ndodhte është dorëheqja e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorit që ka qenë i ngarkuar ne rastin në muajin qershor.

Pa pasur dorëheqje dhe shkarkime të atyre që nuk vepruan në kohë dhe sipas përgjegjësisë, fatkeqësisht mund të kemi viktima të tjera.