Diçka po ndodhë: Thaçi, Veseli e Haradinaj ulën në një sofër

Është e qartë se diçka po ndodhë në Kosovë. Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, janë parë sot duke ngrënë mëngjes së bashku, ndërkohë që kanë ngelur edhe pak orë deri te konfirmimi ose refuzimi i aktakuzës nga Gjykata e Hagës ndaj kreut të shtetit, përkatësisht kryeatrit të PDK-së.

Siç raporton Klan Kosova, të tre kanë ngrënë kafjall së bashku, derisa ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga asnjëra palë rreth arsyes së takimit.

Ndërkohë,Partia Demokratike e Kosovës për Gazetën Express e ka konfirmuar takimin e sotëm në mes të Kadri Veselit me presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e Aleancës, Ramush Haradinaj.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka thënë se takimi i mbajtur në mëngjes nuk ka ndonjë lidhje me zhvillimet politike apo ndonjë temë tjetër në Kosovë.

“Kryetari i PDK-së, z. Veseli ka pasur një mëngjes me presidentin dhe z. Haradinaj, por nuk lidhet me asnjë zhvillim politik apo temë tjetër në Kosovë”, ka thënë Bytyçi.