Differdange, kundërshtari i Dritës në Ligën e Kampionëve
Drita gjithmonë i tërheq kundërshtarët më të vështirë në shortet e hedhura në garat europiane.
Kundërshtarë shumë më të fortë, në krahasim me fuqinë e klubit bardhekaltër nga Gjilani.
Por, asnjëherë nuk është treguar inferiore, dhe me paraqitjet e saj ka bërë krenar çdo futbolldashës nga Kosova.
Mirëpo, kësaj here, më në fund, fati i buzëqeshi Dritës, shkruan “Gazeta Express”.
Në shortin e hedhur sot në Nyon të Zvicrës, kampionia e Kosovës u shortua me Differdange në fazën e parë kualifikuese për Ligën e Kampionëve.
Drita ishte në vazon bartëse gjatë shortit të sotëm, andaj iu mundësua që në këtë fazë të luajë ndaj një kundërshtari më të lehtë, të paktën në letër.
Differdange vjen nga Luksemburgu, aty ku ishte shpallur kampione, me 78 pikë pas 30 ndeshjeve.
Ky ekip, sipas “Transfermarkt” ka vlerën totale prej 1.20 milionë euro. Ndërkohë, Drita ka vlerë totale prej 6.45 milionë euro.
Albert Dabiqaj, Rron Broja dhe Egzon Bejtulai së bashku kanë vlerë më të madhe, se tërë ekipi i Differdange.
Suksesi më i madh i Differdange në Europë është faza e tretë kualifikuese e Ligës së Europës në sezonin 2013/14.
Ndeshja e parë mes Dritës dhe Differdange do të luhet në “Fadil Vokrri” më 8 korrik, teksa ajo e kthimit në Luksemburg më 15 korrik. Dy ndeshjet do të nisin nga ora 19:00.

