Digjet balona në Pejë, Muhaxheri vonohet për të shpjeguar kuptimin e ngjyrave ‘provokuese’

Në Pejë është djegur një balonë me mbishkrimin “Mirë se vini në Pejë” shkaku i ngjyrave të saj që u pretendua se simbolizonin flamurin e Jugosllavisë, por në të vërtetë ishin ngjyrat e Francës, meqë dhuruesi i saj ishte një francez.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se se euforia e reagimeve ishte e tepërt lidhur me ngjyrat e balonës për të cilat u pretendua se i përkasin Jugosllavisë.

“Balona e cila u vendos dje me mbishkrimin: “Komuna e Pejës, Mirë Se Vini” ishte një simbolikë e dhuruar nga piloti francez, kampion në aeronautizëm, z. Guy Cinquin. Ai e solli balonën me ajër të nxehtë të cilën tashmë shumica e keni parë në qiell. Pas kthimit në Francë, z. Cinquin e ka promovuar jashtëzakonisht mirë Pejën por edhe kulturën tonë në mediat e atjeshme. Ai u rikthye prapë në Pejë për të realizuar fluturime të tjera, dhe në shenjë mirënjohje e ka sjellur balonën e cila u vendos dje në hyrje të qytetit, madje atë e ka instaluar personalisht, duke mos e pasur idenë se veprimi i tij me qëllim të mirë, do të keqkuptohej”, thuhet në postimin e Muhaxherit.