Dikur xhemati i Malishevës së Gjilanit ishte ndarë në PDK e LDK!
Partitë politike, përpos përçarjeve të shumta që i kanë sjellë popullit, ato e patën përçarë madje edhe xhematin.
Një situatë e tillë ka qenë e shpërfaqur në fshatin Malishevë të Gjilanit.
Një banor atje, në vitin 2005, i pati deklaruar gazetës “Java” se nuk e falë asnjë nga pesë vaktet për shkakun se, sipas tij, imami i asaj kohe është përzier në politikë, më saktësisht në PDK.
Ai e kishte xhaminë 30 metra afër shtëpisë së tij, por çdo ditë i bënte 20 minuta udhë për të mbërritur në xhaminë e fshatit Malishevë e Poshtme, për t’i falur namazet.
Megjithatë, hoxha i fshatit e pati mohuar se është përzier në politikë.
“Nuk është e vërtet se asht nda xhemati pse asht hoxha n’PDK, se unë nuk jam anëtar i asnjë partie e as nuk kam qenë kurrë. E votën, sigurisht se e jap dikund”, ka deklaruar imami i xhamisë së asaj kohe.
Në Bashkësinë Islame të Gjilanit ishin në dijeni për këtë ndarje të xhematit, por kryetari i asaj kohe, Ilmi Krasniqi, pati thënë se nuk ka pasur ndonjë ankesë nga imami, shkruan Mediafokus.info.
Prej LDK’së ishte prononcuar Rashit Sahiti, kryetar i nëndegës së Malishevës, ndërsa prej PDK’së, sekretari i saj, Sami Hoxha.
Të dy patën thënë se kjo ndarje e xhematit është e pakuptimtë, sepse në xhami shkohet për obligim fetar e jo për partiak.
/Mediafokus.info/


