Dilleri i drogës përfundon në paraburgim, Gjykata merr vendim për 45-vjeçarin që u kap me 3 kg heroinë

Një 45-vjeçar përfundoi në prangat e Policisë më 20 gusht, pasi u kap me 3 kilogramë heroinë në veturën e tij, në autostradën Prishtinë – Prizren, saktësisht në Suharekë. Mediat raportuan se personi i arrestuar është Imet Çlekoviç, i njohur si Imet Bilalli. Ndaj tij tashmë Gjykata ka marrë vendim për caktimin e masës së sigurisë.

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Gjykatës në Prizren, Marcel Lekaj, i cili ka njoftuar se ndaj të dyshuari është marrë vendim për masën e paraburgimit.

Sinjali raportoi se Bilalli u kap në flagrancë teksa po bartte me veturën e tij drogën prej 3 kilogramësh, me qëllim për ta shitur apo shpërndarë.

Si rezultat, ai është dërguar në paraburgim deri më 20 shtator, nën dyshimet për kryejren e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

“Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

Me datë 20 gusht në orët e mesditës në autostradë “Ibrahim Rugova”, pa autorizim posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pasi policia ndalon automjetin e markës ‘…….” me targa të regjistrit: ………, të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri në fjalë, me ç’rast gjatë kontrollit të automjetit, në bagazhin e të njejtit policia gjen një (1) qese me mbishkrimin ‘……… brenda së cilës ishin 6 (gjashtë) qese të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë në peshë të përgjithshme mbi tre (3) kilogramë, të cilat dëshmi janë sekuestuar nga ana e policisë.”, thuhet në përgjigjen e Lekajt.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.