Dimensionet e agjërimit

Gjatë gjithë historisë njerëzore, njeriut i është dashur të komunikojë përmes gjuhës simbolike me atë që e sheh si një forcë metafizike. Parë në këtë prizëm, agjërimi, namazi dhe haxhi, janë një hyrje simbolike në komunikim me Hyjnoren.
Tek njeriu ekziston një nevojë simbolike, morale, shoqërore, mistike dhe shpirtërore për agjërim, duke e bërë këtë një praktikë po aq të trupit sa dhe të shpirtit.
Si çdo rit që ngërthen në vetvete dimensione të shumta, dhe agjërimin nuk i shpëton këtij konfigurimi simbolik, moral, shoqëror, shpirtëror dhe mistik.
Së pari, në nivelin simbolik, agjërimi konsiston në prirjen drejt Hyjnores përmes ngjashmërisë; si një imitim i modelit Hyjnor, pasi që kur njeriu nuk ha dhe nuk pi, priret drejt transhendencës, duke bërë të mundur që shpirti të “largohet” nga trupi duke imituar botën e shpirtrave, pra meleqët dhe vetë Allahun. Në këtë dimension agjërimi është një përpjekje për t’iu afruar njohurive të ahiretit duke arritur përmes privimit të asaj çka është vitale, triumfin e shpirtit mbi trupin.
Qëllimi i agjërimit është ta afrojë më shumë krijesën me Krijuesin dhe jo ta nënshtrojë atë në një veprim që nuk ka kuptim, duke i dhënë një sens moral agjërimit dhe duke tejkaluar dimension e tij juridik duke e shndërruar në vlerë, në devodshmëri.
Në dimensioni horizontal çdo rit ka një rëndësi shoqërore, sepse agjëruesi nuk e privon vetveten për të kompensuar atë që nuk ka pasur gjatë ditës, por në fundin e ditës e ndan ushqimin me të varfërin. Pra, ekziston një anë shoqërore sepse duke agjëruar, duke ndjerë dhimbjen e stomakut, urinë dhe etjen, njeriu e kupton më mirë peshën e zeqatit që jep në fund të Ramazanit.
Në nivelin shpirtëror falë agjërimit njeriu praktikon atë që quhet xhihadul nefs, përpjekjen e brendshme e cila konsiston në zbutjen dhe moderimin e instikteve; jo duke mortifikuar trupin por duke moderuar instiktet e tij (pasi që dihet se ka përjashtime që lejojnë të mos agjërojmë nëse jemi të sëmurë, apo udhëtojmë, etj).
Ekziston gjithashtu një dimension mistik, sepse dihet që ka agjërim të trupit, agjërim të zemrës dhe agjërim të shpirtit, në varësi të nivelit shpirtëror të njeriut. Agjërimi në këte prizëm mundëson edukimin e shpiritit.
Pra, qëllimi i agjërimit është të sjellë zemërgjerësi dhe ngritje shpirtërore në ndërgjegjen e njeriut falë dimensioneve të shumta të cilat u përmendën më lart. /E.Q./