Disa shkolla në kryeqytet anulojnë mësimin – paralajmërohen vërshime
Disa shkolla në Prishtinë kanë anuluar mësimin për shkak të reshjeve të shiut dhe paralajmërimeve për vërshime.
Në njoftimet që u janë dërguar prindërve thuhet se vendimi është marrë në bashkëpunim më Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe zyrtarët e emergjencës.
Në shkollën “Ismail Qemali” mësimi është anuluar vetëm në ndërrimin e pasdites, derisa në shkollën “Nazim Gafurri”, në të cilën zhvillohet mësim gjithëditor nuk do të mbahet mësimi fare.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë sot dhe nesër (18 dhe 19 nëntor) si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut e që kanë nisur nga orët e para të së martës.
“Për shkak të reshjeve të mëdha të shiut, në bashkëpunim me DKA-në dhe zyrtarët e emergjencës, është vendosur që te ndërrimi i pasdites të mos zhvillohet procesi mësimor”, thuhet në njoftimin e dërguar tek prindërit që i kanë fëmijët në shkollën “Iliria” në Prishtinë.

