Disa vende mbesin pa energji shkaku i erërave të forta, mobilizohet KEDS

Gjatë ditës së sotme, Kosova u përfshi nga erëra të forta që priten të vazhdojnë edhe për disa orë.

Lidhur me këtë fenomen, ka reaguar Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), e cila thotë se disa rajone kanë mbetur pa energji elektrike.

Në disa lokacione, sipas KEDS-it, po ashtu janë shkaktuar edhe dëme në rrjetin elektrik shpërndarës.

“Ekipet e KEDS-it kanë dalë në terren menjëherë dhe po punojnë në mënyrë intensive për të rikthyer në normalitet furnizimin me energji elektrike për konsumatorët e afektuar, për çka kërkojmë mirëkuptimin e tyre”, thuhet tutje në njoftimin e kompanisë.