Distria Krasniqi fiton medaljen e argjendtë në Paris

Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit në kategorinë deri 52 kilogramë. Në finale ajo u mposht nga e para e botës, francezja Amandine Buchard, po ashtu medaliste e argjendtë nga Tokio 2020 e dy herë e bronztë nga Kampionati Botëror i Xhudos.

Distria në gjysmëfinale mposhti zviceranen Fabienne Kocher, e cila sot në Grand Slam dhe vitin e kaluar në Kampionatin Botëror të Xhudos fitoi njërën nga të bronztat.

Në raundin e dytë ajo mposhti xhudisten Anais Mosdier nga Franca, ndërsa në çerekfinale britaniken Chelsie Giles, e bronztë në Tokio 2020.