Dita e llogarisë mund të vonojë, por nuk mungon kurrë

Zaki Asllani

Edhe pak javë kanë mbetur nga fundi i mandatit të pushtetit lokal, por fytyrat e njëjta që katër vite rresht e shihnin komunën si pronë private, vazhdojnë të bëjnë sikur sundojnë.

Pa asnjë fije turpi, ata që e kanë shndërruar administratën në strehë për militantë dhe tenderët publikë në pazare për miq e klane, po tentojnë të përfitojnë edhe në ditët e fundit.

Në vend që t’i japin llogari qytetarëve, po nxitojnë të lidhin kontrata të dyshimta, të shpërndajnë favore, të betonojnë interesat e tyre personale e partiake.

Tashmë nuk bëhet fjalë për zhvillim, shërbime apo të ardhme – bëhet fjalë vetëm për grabitje të minutës së fundit.

Këto fytyra të pushtetit lokal, që nuk njohin as përgjegjësi as turp, janë pasqyra më e qartë e degradimit të qeverisjes sonë: premtime të harruara, qytetarë të lënë pas dore, dhe pushtet i përdorur vetëm si mekanizëm pasurimi personal.

Por fundin e dimë të dy palët: Dita e llogarisë nuk shmanget, mund të vonojë, por nuk mungon kurrë.