Dita që u dha fund netëve të gjata të tmerrit serb në Kosovë
12 qershori i vitit 1999, dita kur në Kosovë hynë forcat e para të NATO, pasi u nënshkrua marrëveshja e Kumanovës, i dha fund dramës së përgjakshme kosovare, edhe pse forcat serbe, në Gjilan vranë edhe më 12 qershor, derisa po tërhiqeshin, shkruan Mediafokus.info
Ditën që në Gjilan, nga drejtimi i jugut, ishin futur ushtarët francezë të trupës paqerujatëse, në Dobërçan vritet hoxha Nysret Rexhepi dhe plagosen e maltretohen shumë banorë të tjerë.
Më 12 qershor, pas 78 ditësh ankthi, njerëzit do të dalin nëpër rrugët dhe sheshet e qytetit, nëpër të cilat ende po lëviznin veturat e policisë dhe tanket serbe, por që më pushteti i tyre kishte marrë fund.
Gjatë atyre ditëve të gjata, u kryen shumë vrasje, shkatërrime, tortura, dhunime e dëbime të popullatës, të cilat po ndodhnin pas një periudhe dhjetë vjeçare të diskriminimit në punë, shëndetësi, arsim, administratë si dhe gjyqeve e “bisedave informative” në polici, të cilat ishin bërë të përditshme.
Ndonëse gjendja ishte bërë e papërballushme, një pjesë e madhe e popullatës nuk i kishte braktisur shtëpitë e veta.
Vetëm më 12 qershor, u pa se sa i madh ishte numri i atyre që kishin jetuar në rrethin e tmerrit serb për 78 ditë të tëra.
E frikshme dhe e gjatë ishte veçmas nata e 11 qershorit, kur forcat serbe po grupoheshin për t`u tërhequr.
Gjithë atë natë nuk kishn pushuar daullet dhe rafalet e automatikëve. Të gjithë dyshonin se po luhej “nata e thikave të gjata”, që serbët e kishin paralajmëruar për fund në Gjilan.
Më vonë është kuptuar se serbët nuk kishin besuar se lufta do të përfundonte aq shpejt dhe, më 11 qershor ishte bërë vonë për të kryer një masakër tjetër në Anamoravë, sepse duhej fshehur shumëçka dhe kohë më nuk u kishte mbetur. /Mediafokus.info


 
 
						 
						