Ditë e rëndë për Kosovën: Dy aksidente, pesë viktima

E diela e djeshme ka qenë ditë e rëndë për Kosovën, sepse ka humbur 5 qytetarë të saj, në dy aksidente trafiku. Në mesin e viktimave, është edhe një 10-vjeçar, i cili mbeti i vdekur bashkë me prindërit dhe gjyshen.

Njëri aksident ka ndodhur në fshatin Koshare të Ferizajt, mes dy veturave, ku kanë vdekur katër persona, kurse tjetri në Korroticë të Gllogocit, ku ka mbetur i vdekur vozitësi.

“Fsh. Koshare, Ferizaj, 06.06.2021 – 15:35. Raportohet se ka ndodhur aksident trafiku në mes dy veturave civile. Si pasoj, katër persona kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të lënduar janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Ferizajt dhe QKUK. Me vendim të prokurorit, njëri nga vozitësit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa trupa e pa jetë të viktimave janë dërguar në IML për obduksion”, ka bërë të ditur policia.

Një tjetër aksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Korroticë e lartë në Gllogoc.

I vdekur në vend ka mbetur vozitësi i veturës,  i cili ka shkaktuar vetaksident.

“Fsh. Korroticë e lartë, Gllogoc  06.06.2021 – 18:30. Vozitësi mashkull kosovar me veturën, nga pa kujdesia ka shkaktuar vetë aksident trafiku. Si pasoj, vozitësi ka vdekur në vendin e ngjarjes. Trupin e pa jetë të viktimës e ka marr mjekësia ligjore. Rasti është duke u hetuar”, ka bërë të ditur policia, thuhet në njoftimin e policisë.