Ditët e lirisë, figura kolosale e Rugovës dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës

Shkruan: Lutfi Haziri

Gjatë vizitës së parë në Kosovë, miku i madh i shqiptarëve në orët e liga, Presidenti Bill Clinton, la një porosi që paqja në Kosovë është testamenti i marrëdhënieve të përhershme dhe të veçanta me Amerikën. Kush e dëmton këtë paqe, e ka dëmtuar Kosovën!

Në përvjetor lirie, figura e Rugovës u lartësua nga kryetari i LDK-së, Lumir Ahdixhiku, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema e ambasadori i ShBA-ve, Jeffrey Hovenier, në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, kurse në panelin e dytë, Blendi Fevziu, Adriatik Kelmendi, Eugen Saraçini e Alush Gashi diskutuan mbi rolin vendimtar të rezistencës aktive politike dhe qytetare drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë; si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës sot, për t’u zhvilluar më pas edhe ceremonia e diplomimit e 40 studentëve të dy klasave të Shkollës Politike ‘Ibrahim Rugova’.

Për shumëkë deri më 10 qershor 1999 liria dukej utopi, por pas përpjekjeve shekullore, ëndrra e shqiptarëve të Kosovës u bë realitet. Presidenti Rugova ishte një hap para krejtve. Ai inicioi e shkaktoi procese dhe realizoi ëndrrën shekullore për shqiptarët që të jetojnë të lirë e të pavarur.

Ibrahim Rugova është krijuesi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore, i cili jo vetëm që shënoi kthesën historike për të realizuar të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, por shënoi edhe kthesën dhe orientimin drejt aspiratave të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe demokraci, në integrim në NATO e BE dhe në miqësi permanente me ShBA-të.

Në këtë përvjetor lirie, nuk mund të mos e theksojmë faktin që tash e tri vjet Kosova ka mbetur pa miq. Udhëheqësit e sotëm institucionalë, kanë degraduar në atë shkallë sëqë kanë detyruar aleatët e Ibrahim Rugovës, sponzorizuesit më të mëdhenj të lirisë, pavarësisë e demokracicë, t’i vënë sanksione Kosovës, si asnjëherë më parë në këto 25 vite.

Veç LDK mund të kthejë besimin tek partnerët dhe të forcojë rolin e Kosovës në rajon, si shpëtimtare dhe shpresë për hapa të sigurtë në integrime BE dhe NATO. Koha për ta garantuar lirinë e Kosovës për të gjithë, për ta shtrirë Pavarësinë e Kosovës në tërë vendin dhe demokraci funksionale e për qytetarët. LDK është e vetmja parti që garanton stabilitet, bashkëpunim, zhvillim të vendit e siguri juridike për të gjithë.

Për fund, falënderim dhe respekt deri në gjunjëzim heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit, të cilët u sakrifikuan për këto ditë të bardha të lirisë. Urime ditët e çlirimit të gjithë qytetarëve të Republikës!

(Shkrimi është marr nga profili zyrtar i Lutfi Hazirit në facebook)