Ditët e mërgatës u përcollën me koncertin “7 Ninulla, 7 ditët e javës”

Në programin “Ditët e Mërgatës”, këtë mbrëmje në Gjilan është mbajtur koncerti “7 Ninulla, 7 ditë të javës”, që e ka organizuar Drejtoria për Kulturë Rini e Sport, në Muzeun Etnografik të qytetit.

Skena ishte e rezervuar për profesoreshën Besa Berberi, solo këngëtare, Vjosa Berisha-Abdullahu, violonçelo dhe kuadrin e rrallë Erëmira Çitaku, flaute, kavall dhe okarinë, që publikut gjilanas i kanë sjellë ninulla që pasurojnë repertorin artistik dhe veçantinë që kanë ato në jetën dhe traditën shqiptare.

Xhylshen Berisha, në fjalën e hapjes ka thënë se ninullat janë përcjellëse të shoqërisë në vazhdimësi dhe gjithmonë japin mesazhin e gjallërisë në çdo shtëpi, sikur që në këtë kohë vere freski për ne në Kosovë janë mërgata e në kohë dimri janë ngrohtësia e të gjithë neve.

Ndërsa, drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, Deniza Limani, ka theksuar se Gjilani gjatë këtij muaji ka organizuar aktivitete të ndryshme me qëllim të pritjes sa më të mirë të mërgatës, e cila këtë kohë është për pushime në vendlindjen e saj.

Pas koncertit është promovuar edhe libri “7 Ninulla, 7 ditë te javës”, që i kushtohen 6 ninulla vajzave dhe 1 djemëve.

Autorja Besa Berberi ka thënë se kur e kishte filluar këtë projekt në Angli, nuk e kishte pritur që do të ishte në këtë masë i mbështetur dhe përkrahur, por sot është krenare për këtë vepër.

Kalendari dymujor përfundon me festivalin “mish mash”, që do të jetë një veçanti e gjithë këtij organizimi të sivjetëm.