‘Djalin 9-vjeç nuk mund ta lë vetëm në këtë botë’

Ajo njihet si mësuesja që nuk u dorëzua kurrë në betejën me kancerin. Por duket se sëmundja i është rikthyer sërish pas shumë kohësh dhe e gjendur përballë vështirësive, Ina Kasimati ka kërkuar ndihmë për një përballje të dytë me kancerin.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, mësuesja e biologjisë ka treguar se si iu rishfaq kanceri i gjirit.

“Kur çoja djalin në shkollë dhe mbaja çantën, ndjeja një dhimbje, aty po e ndjeja. Derisa bëra analizat, dola me ujë në mushkri. Kontaktova me vajzë e dajës të cilën e kisha mjeke dhe më dërgoi për të bërë një ekografi”.

Më tej, Ina falenderoi nxënësit e saj të cilët kanë hapur një llogari dhe e kanë bërë rastin mediatik menjëherë.

“Nxënësit e shkollës më kanë befasuar, të gjithë ata që më njohin dhe nuk më njohin, kanë mbledhur fonde. Tani jam në një situatë që një analizë nuk bëhet këtu sipas mjekëve, bëhet jashtë.

Unë jam një nënë që kam dy fëmijë, i vogli është 9 vjeç dhe ka nevojë për mua spse është krejt i vetëm në këtë botë. Prandaj nuk duhet të heq dorë”, thotë mësuese Ina.