Djaloshi që ruan artin e skalitjes në Çarshinë e Vjetër të Shkupit
Jetmir Sefa Koka, 19-vjeçar nga Shkupi, është një artizan i talentuar që ka trashëguar dhe vazhduar me pasion zanatin e skalitjes në dru, një traditë e vyer familjare e filluar nga babai i tij.
Me përkushtim dhe mjeshtëri, Jetmiri punon në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, një hapësirë e njohur për ruajtjen e vlerave kulturore dhe artizanale.
“Unë këtë zanat prej në 6-7 vjeç me babain tim e di qysh e ka punu, ia kam fillu ta kuptoj, me vite vetëm e kam këqyr, s’kam punu aspak. E pastaj kur e kam marrë ta punoj, e kam ditur se si të bëhet,” thotë Jetmiri, duke treguar se si zanati është pjesë e jetës së tij që nga fëmijëria.
Ky art nuk është vetëm një zanat për të, por një pasion që e mbart në zemër. “Pikë së pari më fle në zemër, ashtu siç thash prej në vegjëli me këtë jam rrit dhe më flen në zemër si zanat. Profitabil nuk është aq, por kur punohet më plotëson si zanat,” shton ai.
Jetmiri kujton gjithashtu se babai i tij, një mjeshtër i natyrës, asnjëherë nuk ka mësuar zanatin në ndonjë shkollë, por ka zhvilluar aftësitë e tij përmes pasionit dhe krijimtarisë.
“Fillimisht ka vizatu, ka punu në dru, ka bërë vizatime në dru, piktura në letër, në pëlhurë në përgjithësi,” tregon Jetmiri për trashëgiminë e tij./trtballkan

