‘Do ta jepja botën vetëm për një përqafim nga ti, Babi’
Para 7 vitesh, në këtë ditë, ka ndërruar jetë ish-kryeshefi i parë ekzekutiv i Komunës së Gjilanit, Enver Muja. Tri dekada të jetës së tij, Muja punoi për vendin, që nga Këshilli i Financimit, e deri te administrata komunale, të cilën e drejtoi në dy mandate, si kryeshef ekzekutiv, shkruan Mediafokus.info.
‘7 vite pa ty e çdo ditë që kalon bëhet më e vështirë pa ty Babi.
A e dini ndjenjën e mungesës, ajo dhimbje shpirti që s’ndalon, që ta ndalë frymën e ta shtrëngon gjoksin. Të gjithë ju që po jetoni pa këtë ndjenjë zgjohuni e mos humbni kohë larg prindërve, bëni çdo gjë që t’i bëni të ndjehen të lumtur dhe krenarë me ju.
Po ju them unë, një vajzë që do të jepte botën vetëm për një përqafim nga Babi’ – ka shkruar vajza Jehona, në këtë përvjetor të humbjes së prindit.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës ka thënë se Enver Muja ishte i lidhur ngushtë me lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci, duke bartur detyra të rëndësishme, të përgjegjshme e shpeshherë të rrezikshme për kohën.
Enveri ka qenë njëri prej themeluesve të arkës së shtetit, njëri prej bashkëthemeluesve të Këshillit për Vetëfinancim e më vonë edhe si kryeshef ekzekutiv, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën politike dhe institucionale në Gjilan.
Enveri është shquar për qetësinë dhe urtësinë e tij, por mbi të gjitha për bashkëpunim dhe për profesionalizëm. Ka qenë gjithmonë i gatshëm të marrë mbi vete detyra dhe t’i ndajë ato me të gjithë kolegët e tij, për t’i realizuar për një qëllim të përbashkët.
Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e mbajtur më 22.12.2000, duke u bazuar në Rregulloren 2000/45 mbi vetëqeverisjen e komunave të Kosovës, nxori vendimin për emërimin e kryeshefit ekzekutiv, pozitë kjo që iu besua Enver Mujës, i cili më vonë do të rizgjidhet edhe për një mandat tjetër.
Me ligjin e ri për qeverisjen lokale, Komunat nuk kanë më kryeshef ekzekutiv. /Mediafokus.info

