“Do të jetë pranverë e nxehtë në LDK. Abdixhiku nuk do të jetë më kryetar”

Lumir Abdixhiku ka mundësi që në pranverë të rrëzohet nga pozita e kryetari të LDK-së, kështu ka deklaruar deputeti nga partia e Listës Guxo, Haxhi Avdyli, duke shtuar se kjo mund të ndodhë pikërisht në kohën kur do të mbahen zgjedhjet brenda këtij subjekti politik.

Ai shtoi se në LDK do të jetë një ‘pranverë e nxehtë’ dhe sipas tij, as Avdullah Hoti e as Lumir Abdixhiku nuk do të bëhen kryetarë të LDK-së pa aprovimin e ish-kryeministrit Isa Mustafa.

“Dihet kush e ka përkrah. Mustafa ka besuar në Lumir tjetër. Në LDK gjatë pranverës së ardhshme do të ketë pranverë shumë të nxehtë. Normalisht, se as Lumir Abdixhiku e as Avdullah Hoti s’kanë me qenë kryetarë pa ‘izën’ e Isa Mustafës”, deklaroi ai.

Avdyli ka thënë se ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka fuqi të madhe brenda këtij subjekti politik.

“Mustafa ka fuqi të mëdha akoma, sepse i kontrollon shumicën e degëve. Ka qenë një rekomandim i një klubi politik që vendos kush me qenë ministër e kryetar. Isa Mustafa është 1, Agim Veliu, Skënder Hyseni e Bajram Gecaj dhe emra të tjerë”, tha ai.

“Ka zëra kundër. Nuk e besoj që ka një shkëputje totale. Në pranverën e ardhshme, është folur se në shtator do të rrëzohet Qeveria, faktikisht në pranverë ka mundësi të bie kryetari i LDK-së para qeverisë”, tha Avdyli në ATV.