Doktorë, çelni edhe ju sytë!
Situata epidemiologjike në Kosovë është tejet e rëndë. Edhe më e rëndë është gjendja e vaksinimit.
Pse gjendja e vaksinimit është më e rëndë?
E para: sepse zhvillimet në terren janë të tmerrshme. Procedura për t’u vaksinuar është procedurë që i dekurajon popullatën (kam shkruar më herët për këtë: Kosova, një selfi një vaksinë).
E dyta: në sallat ku organizohet vaksinimi rendi dhe masat mbrojtëse ekzistojnë vetëm në letër.
E treta: është trishtuese se vaksinohen edhe njerëzit që janë të infektuar!
Trishtuese sepse profesionistët shëndetësorë në sallat e vaksinimit, nuk çajnë kokën që ta kuptojnë se ata po i vaksinojnë njerëzit e sëmurë me Covid.
Nuk e qajnë kokën të pyesin se a kanë simptoma ata që vijnë për t’u vaksinuar!
Doktorë, çelni sytë!
Ju nuk duhet t’i harroni simptomat që ka një i infektuar. Në sallat ku bëhet vaksinimi, kandidatëve nuk iu matet të paktën as temperatura.
Ka shumë indikatorë që ju mund të detektoni edhe tek njerëzit pa simptoma, duke biseduar me ata që vijnë për vaksinim.
Vaksinimi është proces serioz dhe me përgjegjësi!
Çelni sytë doktorë! Përcjellni «lajmet shkencore» të botës. Përgjegjësia është e juaja që t’i informoni drejt e qartë të gjithë.
Ju ndoshta gjeni një milion rrugë për t’u arsyetuar, por ata që kanë humbur sot anëtarin e familjes, të vaksinuar duke qenë i infektuar, nuk mund t’i ngushëllojë askush as për një milion vjet. /Mirishahe Limani Hiler

