Dokumentim i Trashëgimisë Familjare – Shtëpia e Dëshmorit të Kombit Sherif Sherifi

Kjo fotografi paraqet themelet e mbetura të shtëpisë së familjes Sherifi, e cila dikur ishte një kullë e ndërtuar në stilin tradicional shqiptar në fshatin Vërbicë e Zhegocit, komuna e Gjilanit.

Shtëpia, me një histori mbi 200-vjeçare, ishte simbol i qëndresës dhe sakrificës së brezave të njëpasnjëshëm të kësaj familje.

E ndërtuar me gurë dhe tulla, me mure të trasha deri në 1 metër, kjo kullë shërbeu si strehë për pesë gjenerata që dhanë jetën për lirinë dhe çështjen kombëtare – nga luftërat e shekullit XIX e deri te lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 15 prill 1999, gjatë agresionit serb, shtëpia u granatua dhe u rrafshua me tokë, duke lënë pas vetëm themelet që sot flasin për një histori të lavdishme dhe dhimbje të thellë.

Rindërtimi apo restaurimi i kësaj shtëpie do të ishte një akt nderimi për sakrificën e dëshmorëve dhe një hap drejt ruajtjes së trashëgimisë historike e kulturore të vendit tonë dhe të familjeve që kanë luftuar për këtë tokë brez pas brezi./Mediafokus