Dorëzohet në polici 15-vjeçari që dyshohet se e theri për vdekje 14-vjeçarin në Prishtinë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur që ka arrit të identifikoj personin e dyshuar lidhur me vrasjen që ka ndodhur sot në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë.

Personi i dyshuar është E.V., 15-vjeç, i cili është dorëzuar në polici dhe i njëjti është në masën e arrestit policor.

Personit të dyshuar i është sekuestruar një armë e ftohtë (thikë), që dyshohet të jetë përdorur në rast.

“Në prezencë të avokatit të personit të dyshuar, në koordinim me prokurorin e shtetit si dhe zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, hetuesit ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore“, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, ngjarja dyshohet se ka ndodhur sot në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku Rijad Hyseni, 14-vjeçar humbi jetën pasi që nuk i mbijetoi plagëve të marra nga therja me thikë.