Dorëzohet pronari i kompanisë “LDA Group”, të cilës iu transferuan rreth 2.1 milionë euro nga Thesari

Është dorëzuar në Policinë e Kosovës, Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group”, me bazë në Llapushnik të Drenasit, në të cilën dyshohet se u derdhën rreth 2.1 milionë euro të shtetit, të transferuara nga Thesari.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express dhe T7, vëllai i tij, Bedri Shala.

“Para gjysmë ore është dorëzuar vetë në Polici, përkatësisht te njësiti për Krime Ekonomike”, ka deklaruar vëllai i Kadri Shalës, Bedriu.

Për herë të parë nga arratia, Kadri Shala u paraqit në mbrëmjen e së shtunës. Përmes vëllait të tij, ai kishte dorëzuar një letër të shkruar me dorë në redaksinë e Gazetës Express dhe Televizionit T7. Në këtë letër që mban datën 24 tetor 2020, Shala ka treguar historinë se si ka përfunduar një shumë kaq e madhe e parave nga buxheti i shtetit në llogarinë e firmës së tij.