Dorëzohet pushteti, LDK-ja arrin një triumf të rëndësishëm në kuvend

Të hyrat vetanake të komunave nuk do të shkojnë në Fondin e Kosovës, por do t’u mbesin komunave.

Një amandament i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili parasheh që mjetet vetanake të komunave t’u mbesin atyre, është miratuar sot edhe me votat e deputetëve të shumicës parlamentare.

“Të hyrat vetanake të Komunave, ju mbesin komunave dhe qytetarëve të tyre! Kjo është fitore për gjithë qytetarët e vendit dhe për mbrojtjen e vetëqeverisjes lokale të garantuar me Kushtetutë”, ka thënë Shkëmb Manaj, një funksionar i LDK-së në Komunën e Prishtinës.

Amandamenti është propozuar sot nga Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili kërkoi që të fshihet fjalia e paragrafit 6 të Nenit 9 të Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, që parasheh që mjetet vetanake të komunave që kanë mbetur pa shpenzuar, të barten në Fondin e Kosovës, në bilanc bankar.

Pro këtij amandamenti kanë votuar 95 deputetë, derisa një ka abstenuar.

Gashi tha se kjo fjali është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal.