Dr. Ajhane Sefiu: Përmbajuni tri këshillave të mëdha për t’u mbrojtur nga Covid19

Drejtoresha e Qendrës Regjionale të Shëndetit Publik në Gjilan, Dr. Ajhane Sefiu, ka porositur qytetarët që të jetojnë pa panik, por që t’iu përmbahen tri këshillave të mëdha, shkruan Mediafokus.info.

Ajo ka deklaruar se është fat i mirë që në Gjilan nuk ka asnjë rast me Covid19.

“Ruajtja më e mirë kundër Covid19 është qëndrimi në shtëpi, mbajtja e higjienës personale dhe mosgrumbullimi i njerëzve në grupe. Përmbajuni këtyre tre këshillave të mëdha dhe shpresoj se do t’ia dalim pa Coronavirus, pra pa të sëmurë me Covid19. Për fat të mirë, nuk kemi asnjë të infektuar”, ka thënë Sefiu, për portalin Mediafokus.info.

Dr. Ajhanja është pjesë e Komitetit për mbojtje dhe shpëtim për preventivë kundër Covid19, i themeluar nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, derisa ka thënë se është shumë e kënaqur me funksionimin e tij.

“Jam shumë e kënaqur me punën dhe funksionimin e këtij Komiteti, ku janë të përfshira të gjitha institucionet komunale dhe regjionale. E mira e tij është që janë deleguar punët dhe secili po punon në profilin e tij. Mendoj se ka me dhënë rezultate shumë të mira”, thotë specialistja e mikrobiologjisë.

Dr. Ajhanja po ndjehet mirë që është kthyer besimi tek mantelbardhët.

“Shyqyr Zotit që është rikthyer besimi tek mantelbardhët. Ne jemi këtu që t’i ndihmojmë njerëzit në shpëtimin e jetëve të tyre”, ka thënë Sefiu, për Mediafokus.info.

Ndryshe, Qendra Regjionale e Shëndetit Publik në Gjilan ka tre mikrobiologë, një epidemiolog, katër specialistë për ekologji humane dhe një specialist për kimi sanitare, dërsa numri total i punëtorëve shëndetësor aty, është 28./Mediafokus.info/

Ja disa nga aktivitetet e Komitetit për mbrojtje dhe shpëtim për parandalimin e Covid-19: