Dr. Përparim Limani, në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau

Nga 1 dhjetori 2025, PD Dr. med. Dr. sc. nat. Përparim Limani merr drejtimin e Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Viscerale në Kantonsspital Aarau, një prej qendrave më të rëndësishme kirurgjikale në Zvicër.

Emërimi i tij përveç që paraqet një hap profesional, është edhe një moment që shënon edhe një standard të ri të pranisë shqiptare në mjekësinë zvicerane.

Me dy doktorata një në mjekësi dhe një në shkencat natyrore, me një karrierë të formuar në Spitalin Universitar të Cyrihut, në laboratorin HPB nën drejtimin e Prof. Pierre-Alain Clavien dhe me një fellowship në MD Anderson Cancer Center në Houston, Dr. Limani vjen në këtë rol me një bagazh të jashtëzakonshëm kërkimi dhe eksperience klinike.

Ai ka publikuar studime në Nature Communications, Annals of Surgery, Clinical Cancer Research, dhe ka trajtuar pacientë në programet më të avancuara onkologjike dhe robotike të Zvicrës.

Edhe në nivel personal, ky emërim bart peshë të veçantë, bashkëshortja e tij është mjeke gjinekologe, një ekuilibër i rrallë profesional që e mban të tokëzuar dhe i jep peshë njerëzore angazhimit të tij klinik.

Në një bisedë për albinfo.ch ai ka thënë se ky rol është një përgjegjësi e madhe. Udhëheqja e një klinike nuk është një kulm personal, por një zotim i qartë për të ngritur të gjithë ekipin bashkë me mua.

Kërkimi shkencor nuk është luks. Është mënyra e vetme për të çuar përpara trajtimin e pacientëve. Çdo eksperiment është një premtim për dikë që do të trokasë në derën tonë nesër.

Ai ka folur edhe për rrugëtimin shkencor në mjekësi.

Rruga ime shkencore filloi në laboratorin HPB të Cyrihut, ku punova në modele të regjenerimit të mëlçisë, në terapi inovative kundër neoplazive gastrointestinale dhe në studime mbi mikroambientin tumoral.

Aty e kuptova për herë të parë se kërkimi shkencor ndërtohet me hapa të vegjël, por thelbësorë.

Siç e kam thënë shpesh: “Në laborator kuptova se çdo hap i vogël është fillimi i një ndryshimi të madh.”

Emërimi i Dr. Përparim Limanit në krye të kirurgjisë në Aarau është një histori suksesi profesionistësh të diasporës shqiptare, por mbi të gjitha është rrëfim i një mjeku që ndërton ura mes shkencës, përkushtimit dhe humanitetit.

Rruga e tij, që nis nga Kërçova dhe përfundon në sallat më të avancuara të kirurgjisë zvicerane, mbetet dëshmi se me qetësi, dije të thellë dhe integritet, kufijtë zhduken.

Në një sistem shëndetësor që kërkon profesionalizëm të padiskutueshëm dhe mendim të kthjellët, Dr. Limani sjell një model të qartë të mjekut modern: të qëndrueshëm, të përkushtuar dhe të lidhur me rrënjët nga të cilat nisi, ka thënë mes tjerash dr Përparim Limani, në një intervistë të gjatë me albinfo.ch

Foto dhe Video: Genti Mersinaj