Dr Uka: Për 40 vjet të karrierës në shëndetësi, 2020-ta ka qenë viti më i rëndë

Doktor Ukshin Ismajli, drejtor klinik në Spitalin e Gjilanit, ka bërë një urim të veçantë për vitin e ri, duke rikujtuar sfidën e rëndë me të cilën u përballë shëndetësia gjatë këtij viti.

Për 40 vjet të karrierës në shëndetësi, 2020-ta ka qenë viti më i rëndë në jetën time profesionale, por edhe për kolegët e mi në Kosovë dhe kudo në botë.

E filluam vitin me një goditje të rëndë të pandemisë COVID-19.

Bashkë me kolegët u koordinuam, u konsultuam dhe patëm në disa raste edhe hamendësime tona, por kurrë nuk u ndalëm për t’iu ndihmuar njerëzve të prekur.

Kemi qajtë si fëmijët kur pamë me sytë tanë se si kjo pandemi po na i merrte njerëzit tanë, por edhe gëzoheshim si fëmijët kur betejën me virusin e fituan mijëra qytetarë.

Gjatë këtyre dhjetë muajve kam bërë gjumë përgjysmë më pak dhe e di që familja ime ka vuajtur për shkak të mungesës sime, por jam shumë krenar që bashkë me kolegët mi, u dolëm në ndihmë njerëzve në çdo kohë.

Urimi im është që viti 2021 të jetë vit i fitores kundër këtij virusi vrastar dhe, siç e thotë populli, mos u harroftë 2020-ta.

Të festojmë në familjet tona, në shtëpitë tona. Mos shkoni për vizita në familje. Po durojmë edhe pak sepse drita tashmë po shihet në fund të tunelit. Gëzuar 2021!

I juaji,
Dr. Uka